1991, KUR PPSH DHE PD U DAKORDËSUAN TË NDAJNË PUSHTETIN

Më 1990 u lejua pluralizmi politik dhe ra monopoli i PPSH në shtet e shoqëri. Disa muaj më vonë u mbajtën zgjedhjet e para shumëpartiake, të cilat I fituan nga komunistët në shumicë absolute. Dy kabinete qeveritare të PPSH (shkurt 1991 dhe prill 1991) dështuan, duke detyruar elitën e vjetër në ikje të kërkojë konsensus me opozitën për zgjidhje politike. Në qershor 1991 PPSH dhe PD zhvilluan bisedime politike dhe në fund, ato ranë dakord për krijimin e Qeverisë së Stabilitetit. Kjo është qeveria e vetme e balancuar politike krijuar nga parti të kundërta politike dhe me afat 1 vjeçar, ndërkohë që qeveria e përkohshme e vitit 1997 ishte programuar për vetëm 4 muaj jetë.

Marrëveshja e vitit 1991 do të kishte vlerë historike pozitive nëse rezultonte funksionale në elementë thelbësorë që lidheshin me procesin e ri politik, sidomos reformat thelbësore në drejtësi, të administratës, të pronësisë, të zgjedhjeve e përfaqësimit, të privatizimeve, të ndarjes me të kaluarën dhe të integrimit. Në fakt,me përjashtim të çështjeve të pronësisë dhe zgjedhjeve, asnjë reformë tjetër nuk ishte dhe nuk mbeti konsensuale.

Një javë më vonë nga kjo marrëveshje PPSH ndryshoi emrin në PS, gjashtë muaj më vonë PD dhe PR u tërhoqën nga qeveria dhe kabineti konsensual u shpërbë. Një qeveri tjetër teknike shoqëroi procesin e zgjedhjeve të parakohshme mars 1992 dhe mazhoranca e re e djathtë mori pushtetin në prill 1992. Shumë prej figurave politike që ishin bashkë më 1991 do të bëheshin më vonë rivalë dhe armiq deri në ekstrem, si dhe konfliktualiteti përjashtues e denigrues midis partive kryesore do të ishte cilësi dominuese e tranzicionit.

Pas 25 vitesh palët janë përsëri në përpjekje për dialog e marrëveshje. Ndryshe nga 1991, kur presioni vinte nga brenda (protestat, qytetarët, etj), takimi më 2016 vjen nga jashtë (SHBA dhe BE). Tradita na mëson se palët politike janë të gatshme për marrëveshje të gjerë politike sa herë pozitat e liderëve të tyre vihen në pikëpyetje dhe se fati i marrëveshjeve politike nuk është përcaktuar nga teksti apo nënshkruesit e tyre, por nga vullneti politik i palëve për të përmbushur përgjegjësitë dhe premtimet.

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.