ISP: KUVENDI, DOMINUESE AKTET FORMALE DHE RETORIKAT DENIGRUESE

 

Në hierarkinë e sistemit politik në Shqipëri institucioni i parlamentit zë vend thelbësor. Ai është organi kryesor ligjvënës, përfaqësues dhe politik-bërës. Pavarësisht nga ky rol, prej më shumë se dy vitesh institucioni I parlamentit dhe aktiviteti I 140 deputetëve nuk ka qenë dhe nuk është objekt monitorimi i asnjë organizate jo qeveritare dhe e shoqërisë civile. Nisur nga kjo mungesë e rëndësishme, nga rëndësia që ka parlamenti në jetën politike në vend, si dhe nga nevoja për plotësimin e kuadrit monitorues parti politike – media – zgjedhje – parlament, Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) dhe database (www.politike.al) monitoroi dhe analizoi aktivitetin konkret parlamentar në periudhën janar – korrik 2016.

Elementë të monitorimit janë numri dhe natyra e ligjeve të miratuara, aktet e nxjerra nga parlamenti, praktikat e miratimit të ligjeve, interpelancat, rezolutat, funksionet zgjedhore të parlamentit, si dhe angazhimi I deputetëve në seancat plenare. Raporti I ISP u publikua në pjesë të veçanta gjatë 23-26 gusht 2016 dhe gjeti pasqyrim masiv në të gjitha mediat online, mediat e shkruara dhe vizive në vend. Ky fakt tregon edhe ndjesinë e madhe publike ndaj monitorimit parlamentar, si dhe saktësinë e të dhënave të gjetura dhe të analizuara.

ISP synon që projekti të plotësohet me të dhëna të plota për periudhën 2013-2016, si dhe do të vijojë monitorimin aktiv të parlamentit edhe gjatë muajve të ardhshëm deri në zgjedhjet parlamentare 2017.

 

GJETJET KRYESORE TË RAPORTIT MONITORUES

  1. Ekipi monitorues konstatoi se institucioni i parlamentit është ndër të vetmit institucione jashtë procesit të monitorimit të rregullt nga grupe të shoqërisë civile, medias dhe partnerët ndërkombëtarë aktiv në Shqipëri. Vlera e monitorimit të parlamentit është e shumëfishtë, ka mbështetje publike, tregon cilësinë e vendimmarrjes politike dhe përbën një komponent me rëndësi për vlerësimin e cilësisë së demokracisë në Shqipëri.
  1. Institucioni i parlamentit ka bërë hapa pozitivë në rritjen e transparencës publike, – diskutimet dhe dokumentet kryesore publikohen, numri I akteve në dispozicion është ndjeshëm më I madh, informacionet mbi jetën parlamentare dhe aktivitetin e komisioneve është më i plotë. Pjesë kritike mbetet praktika negative e njësimit të institucionit me kryetarin e parlamentit dhe aktivitetet politike e protokollare të tij, transparenca mbi shpenzimet dhe kostot e aktivitetit parlamentar, të dhënat profesionale mbi CV e deputetëve dhe aktivitetin e tyre, botimet cilësore profesionale mbi parlamentin si dhe nevoja për rrugë komunikimi të publikut direkt me deputetët.
  1. Axhenda parlamentare ka pasur ritëm të ndryshëm nga axhenda politike dhe pritshmëritë për reforma të thellë sektoriale. Me përjashtim të paketës kushtetuese për reformën në drejtësi, asnjë akt tjetër parlamentar nuk bën pjesë në kolonat kryesore të reformave politike dhe institucionale. Shumica e akteve janë përmirësime ligjore dhe nisma në çështje specifike, të cilat lidhen me grupe interesi jashtë parlamentit ose me prioritete të partive të treta parlamentare.
  1. Gjatë 7 muajve parlamenti ka miratuar vetëm 19 ligje. Pjesa dominuese (rreth 70%) e akteve lidhen me funksione ratifikuese, me ndërhyrje në axhendën parlamentare, me mandatet e përbërjen e komisioneve parlamentare dhe akte të tjera rutinë në punën e parlamentit. Asnjë grup parlamentar nuk ka pretendime dhe as propozime për axhendë tjetër parlamentar, një tregues i mungesës së qartësisë dhe aftësisë për të luajtur rol më aktiv të institucionit në jetën politike dhe në jetësimin e reformave.
  1. Asnjë prej ligjeve të miratuara nuk vjen me nismë qytetare dhe as nga nisma individuale ligjvënëse e deputetëve të caktuar. Nismat ligjore mbeten klasike, – nga qeveria ose nga grupet parlamentare. Praktika e peticioneve dhe adresimeve publike ndaj Kuvendit nuk gjen hapësirë të mjaftueshme dhe as nuk arrin të shndërrohet në çështje debati në komisione ose séanca.
  1. Kuvendi nuk ka qenë efektiv me komisionet e ngritura, sidomos me komisionet e posaçme dhe ato hetimore. Shembull tipik është komisioni për reformën zgjedhore, i cili gjatë afatit të parashikuar parlamentar zhvilloi vetëm një mbledhje, duke u detyruar të zgjasë afatin e tij me një vendim tjetër parlamentar. Praktika e shtyrjes së afateve për komisionet, si dhe e mungesës së produktit pozitiv ndërkohë që komisionet kanë kosto të lartë financiare dhe pritshmëri të madhe publike, meriton përmirësim në koncept, strukturë dhe rregullore.
  1. Aktiviteti parlamentar është njësuar dhe dominuar nga “e enjte e debatit”, duke lënë në hije aktivitetin gjatë ditëve të tjera të javës dhe duke mos pasur raste të seancave të tjera plotësuese ose vijuese parlamentare. Në total parlamenti përmes seancave plenare ka pasur një rendiment simbolik, – mesatarisht 1 orë pune në ditë, – ku gjysma e saj i kushtohet procedurave dhe kohës teknike të mbarëvajtjes së seancës plenare në të gjithë komponentët e saj.
  1. Partitë e përfaqësuara në parlament nuk kanë raste të analizës për punën e grupit parlamentar, nuk hartojnë dhe as publikojnë raporte, si dhe nuk e vlerësojnë angazhimin parlamentar si element me rëndësi në sistemin e meritave për deputetët. Rëndësia dhe pavarësia e kryesisë së grupeve parlamentare është ulur ndjeshëm, në favor të rritjes së peshës dhe rolit vendimmarrës të kryetarëve të partive.
  1. Asnjë parti parlamentare nuk ka rregullore funksionale për mënyrën e organizimit të grupit, vendimmarrjet, votimet, të drejtat e detyrimet, – duke krijuar rrethana evazive në rastet e masave disiplinore ose lëvizjet e deputetëve, siç ndodhi me përjashtimin e një deputeti nga grupi i LSI, kalimin e një deputeti nga PR tek PAA apo deklaratat e një deputeti për largim nga partia e tij politike. Të dhënat zyrtare të institucionit nuk reflektojnë lëvizjet e deklaruara nga deputetet.
  1. Raporti evidenton deputetët më me shumë prezencë në fjalimet dhe diskutimet e seancave plenare, kryesisht drejtuesit kryesore të secilës parti politike. Raporti konstaton se rritja e numrit të fjalimeve dhe balancimi pozitiv i kohës parlamentare midis mazhorancës dhe opozitës nuk reflektohet në rritje të cilësisë së ligjërimit politik dhe të besueshmërisë publike të institucionit. Shumica e seancave plenare janë dominuar nga gjuhë denigruese politike dhe nga incidente me natyrë personale, midis eksponentëve kryesorë të partive politike.
  1. Në listën e diskutimeve parlamentare në séance përqindja e diskutimeve të deputeteve gra e vajza është shumë më e lartë sesa e deputetëve meshkuj. Ky është një tregues pozitiv dhe stimulues për risinë me kuotat e larta gjinore gjatë kësaj legjislature parlamentare.
  1. Struktura e diskutimeve parlamentare tregon për zhvendosje të debatit parlamentar nga praktika klasike e krerëve të grupeve parlamentare tek deputetët ekspertë të fushave të caktuara. Rastet e fundit përbëjnë edhe pjesën më cilësore të debatit parlamentar.
  1. Rreth një e treta e deputetëve të parlamentit shqiptar marrin pjesë formale në punimet e Kuvendit, në komisionet dhe komponentët e tjerë përfaqësues. Raporti evidentoi se pjesa më pak aktive në radhën e deputetëve janë prurjet e reja (2013) nga bota e biznesit, dhe se ata, për shkak të mbështetjes financiare elektorale vijojnë të jenë kandidatë potencialë për rizgjedhje më 2017. 
  1. Deputetët nuk kanë shfrytëzuar të drejtat e tyre kushtetuese e ligjore për nisma ligjvënëse, për ushtrim të kontrollit të ekzekutivit, për aplikimin e rregullt të seancave të pyetjeve dhe interpelancave, si dhe për prezencë në mbledhje të ekzekutivit ku diskutohet për zonat e tyre elektorale. Njohja nga deputetët e të drejtave të tyre dhe nxitja për aplikimin e tyre mbetet një sfidë emergjente për të ardhmen.
  1. Deputetët nuk e shfrytëzojnë aksesin e shërbimeve që ofron Kuvendi, (biblioteka, ekspertët, arkivi, projektet trajtuese dhe binjakëzuese, etj), në funksion të përmirësimit të aktivitetit të tyre parlamentar, si dhe kanë kontribute simbolike në botimet zyrtare të bëra nga institucioni.

_____________________________________________________

RAPORTIN E PLOTE ME TE DHENA TE DETAJUARA DHE TABELA ILUSTRUESE MUND TA SHKARKONI NE LINK-UN E MEPOSHTEM

ISP – Monitorimi i Kuvendit – Periudha janar-korrik 2016

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.