LEGJISLACIONI MBI PARTITË POLITIKE NË SHQIPËRI

Partitë politike janë të specifikuara në nenin 134, pika 1, shkronja “f” të Kushtetutës si një ndër ato subjekte që e ushtrojnë në mënyrë të kushtëzuar të drejtën për t’iu drejtuar kësaj Gjykate, duke pasur legjitimitet kushtetues vetëm për çështjet që lidhen me interesat e tyre. Gjykata Kushtetuese ne vendimet e saj ka theksuar se, në kuptimin kushtetues dhe ligjor, partitë politike paraqiten si bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, bindjeve dhe pikëpamjeve politike të përbashkëta, që synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.

 Bazuar në nenin 2 të ligjit nr.8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, ato marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike dhe kryesisht nëpërmjet: a) ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike; b) nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike dhe evidentimin e aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike; c) pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore. Partitë politike në sistemin e zgjedhjeve dhe veçanërisht në procesin zgjedhor, që nga fushata parazgjedhore, paraqitja e kandidatëve, formimi i trupave zgjedhore, ndjekja e zgjedhjeve e deri te ndarja e mandateve, paraqiten si një faktor përcaktues shumë i rëndësishëm.

 Prandaj, demokracia përfaqësuese, ashtu edhe sistemi i zgjedhjeve nuk mund të paramendohen pa ekzistencën dhe funksionimin e partive politike. Ky pozicion i veçantë që partitë politike kanë në raport me zgjedhjet, përcakton njëkohësisht dhe interesin e tyre për të pasur një legjislacion dhe rregulla sa më të qarta e të drejta.

  1. Ligjet mbi partitë politike (me ndryshime) nga 1991
2. Kodet zgjedhore mbi partite politike

 

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.