PBDNJ RI-ZGJEDH KRYETARIN. NJE PARTI QE NUK NDRYSHON

PBDNJ zhvilloi kongresin kombëtar, në të cilin miratoi programin politik dhe zgjodhi kryetarin (vot-besoi kryetarin në detyrë) për një mandat tjetër statusor. Nuk pati kandidat rival në votim dhe siç rezulton edhe nga të dhënat zyrtare të PBDNJ, mbi 93% e rreth 90% pjesëmarrësve në votim rezultuan mbështetës politik të kryetarit Dule dhe vijës politike zyrtare të PBDNJ.

Historia e PBDNJ daton më 1991. Dy muaj pas lejimit të pluralizmit politik, me nxitjen e PBDNJGreqisë fqinje, minoritarët grekë në zonat e jugut të Shqipërisë krijuan organizatën politike “Omonia”. Programi i saj shpallte si përparësi mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. E krijuar pa një traditë politike në marrëdhëniet midis shtetit, shoqërisë dhe minoriteteve, Omonia shumë shpejt u bë objekt i kritikave dhe i debateve të zjarrta politike. Ajo konkurroi në zgjedhjet e vitit 1991 dhe fitoi pesë vende në parlament, ku u përfaqësua, kryesisht, me deputetë të panjohur, shumica e të cilëve pas mbarimit të mandatit u larguan nga skena politike aktive. Drejtues i saj ishte Sotir Qiriazati. Deklaratat për “zonat e grekëve etnikë”, të bëra nga nënkryetari i saj, Theodhori Bezhani, sollën reagim të ashpër të forcave nacionaliste dhe të medias.

Në vitin 1992, deputetët e PS-së dhe ata të PD-së refuzuan njohjen e të drejtës ligjore të Omonias për kandidim në zgjedhje, si një organizatë politike e një pakice nacionale. Nën presionin ndërkombëtar, pak ditë më vonë, Omonia u shndërrua në parti politike, nën emrin Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. PBDNJ siguroi dy mandate në zgjedhjet e vitit 1992 dhe qëndroi në koalicion me PD-në deri në vitin 1994. Në vitin 1996, PD-ja e ndihmoi PBDNJ të fitonte tre deputetë, ndërsa një vit më vonë ajo përfitoi nga ndihma e PS-së për të fituar katër deputetë. Në vitin 2001, ishte përsëri PD-ja, që me votimin taktik në Lushnjë, i dha PBDNJ-së tre deputetë në Kuvend, të cilët kaluan në aleancë me PS-në në qeveri. Në vitin 2005, PBDNJ qëndroi asnjanëse, por fitoi tre deputetë të tjerë, kryesisht, me ndihmën e PS.

Gjatë viteve 1997-2005 PBDNJ ishte në aleancë qeverisëse me socialistët dhe, për një kohë të gjatë, drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Drejtësisë. Në vitin 2005, kjo parti kaloi me demokratët dhe drejton për herë të parë Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale. Tradicionalisht, PBDNJ ka qëndruar në anën e koalicionit qeverisës pas-zgjedhor. Prej më shumë se një viti vendin e saj në koalicionin qeverisës (të majtë) e ka zënë PDIU, por PBDNJ vijon të ketë marrëdhënie bashkëpunimi si me mazhorancën (PS e LSI) ashtu edhe me opozitën (PD). Në Kongresin e fundit kombëtar të saj kësaj partie (2016) përshëndetën drejtuesit e 3 tri forcave kryesore politike, në qeveri e opozitë. Ajo konsiderohet parti moderatore, nxit dialogun politik dhe e prirur per koalicione politike te perhershme. Ajo eshte e vetmja parti, ne te cilin kryetari nuk ka marre poste ekzekutive ne qeverite e ndryshme.

PBDNJ teknikisht (për shkak të ligjit mbi partitë dhe interesit për vota) është shtrirë në të gjithë vendin, thelbi i saj mbetet simbolika dhe programi politik si parti e minoritetit grek në Shqipëri. Në një pozitë të tillë dhe me mbështetjen e Athinës zyrtare, PBDNJ ka vazhduar të jetë aktive dhe do të mbetet aktive edhe në vitet e ardhshme, pavarësisht se në terren, nuk përfaqëson një parti të mirëfilltë politike, me program, struktura dhe anëtarësi. Pavarësisht nga emërtimi (të drejtat e njeriut) nuk kemi rast të vetëm kur kjo parti ka mbajtur qëndrime publike dhe ka ndërmarrë nisma politike që lidhen me të drejtat e njeriut, përveçse atyre që kanë të bëjnë me minoritetin grek në Shqipëri.

Aktualisht në Parlament PBDNJ ka 1 deputet, kryetarin Dule, kurse një deputet i dytë, A.Marto, i përfshirë në listën proporcionale të PS vijon të jetë më shumë i angazhuar në koalicionin qeverisës sesa në radhët e PBDNJ. Për statistikë vlen të theksohet se numrin më të madh të deputetëve minoritarë e kanë PS e PD, përkatësisht, 4 dhe 3 deputetë nga vetëm 1 që ka PBDNJ.

 

(Marrë nga libri “Partitë politike ne Shqipëri, 1920-2006”, autor Afrim Krasniqi)

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.