PPSH, antaresia 1944-1990 dhe ndikimi ne shoqeri

Përgjatë viteve 1944-1990 PPSH ishte “forca e vetme udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë”, siç citohej në Kushtetutën e vitit 1976. Ajo krijoi modelin e partisë – shtet, sundoi me dorë të ashpër dhe eksperimentoi një model stalinist unik, – duke e shndërruar Shqipërinë vendin e vetëm në të cilin me Kushtetutë ndalohej besimi fetar apo prona private, – një ishull të izoluar nga Perëndimi dhe pas viteve ’70 edhe nga Lindja. Në Shqipëri ka shumë fjalë, kujtime, debate në blogje dhe rrjete sociale, por ka pak, shumë pak studime profesionale mbi periudhën komuniste. Shqipërisë i mungon sot qoftë edhe një libër i vetëm mbi sistemin komunist, organizimin, funksionimin dhe bilancet e tij.

Gjithsesi, (www.isp.com.al dhe www.politike.al ) ju prezantojnë sot një tabelë të thjeshtë, pjesë simbolike e një arkivi të gjerë me të dhëna dhe dokumente që lidhen me studimin e periudhës komuniste në Shqipëri. Tabela paraqet shifrat zyrtare të anëtarësisë në PPSH, për rrjedhojë, nomenklaturën vendimmarrëse, shtrirjen horizontale zyrtare të partisë-shtet, përgjatë 1948 (Kongresi i Parë) dhe fundi i vitit 1990 (vendosja e pluralizmit). Kongresi X dhe i fundit i PPSH në qershor 1991 vendosi ndryshimin e emrit, programit, statutit dhe kalimin në PSSH.

Nga tabela vlejnë te paktën dy “detaje” dhe dy problematika me ndikim aktual.

E para, nga 1.2 milion qytetarë më 1948 vetëm 45,3 mijë ishin anëtarë partie, dmth, ishin nomenklatura vendimmarrëse dhe zbatuese e regjimit.  Pra, ishin anëtarë të PPSH vetëm 3.7% e popullsisë. Më 1990 kur popullsia zyrtare ishte 3,182,400 rezulton se përqindja e PPSH është vetëm 5%. Në thelb rezulton se 3.7-5% e popullsisë merrte vendime dhe sundonte mbi pjesën tjetër prej 95-96.3% të popullsisë,

E dyta, ka rënie të anëtarësisë më 1952, (rreth 1 mijë), kryesisht për shkak të përjashtimeve nga prishja me Partinë Komuniste Jugosllave, dominuese deri më 1948. Periudhat më të “begata” të PPSH janë edhe periudhat më të vështira për shoqërinë e shtetin, periudha e izolimit, e revolucionit kulturor dhe e tollonave, kur anëtarësia rritet nga 18-22 mijë ose rreth 5 mijë në vit.

Ndikimi që ka sot për shoqërinë? PPSH sundoi duke eliminuar elitat kulturore e politike dhe pasojat e saj janë të pallogaritshme në shifra. Ndikimi konkret? Po. Shumica e figurave publike të periudhës demokratike (fillimeve të tranzicionit), rezultojnë se janë anëtarësuar në PPSH pikërisht në këto tri periudhat e fundit, – një tregues i kulturës politike që mbartin në formimin e tyre politik.

Ndikimi i dytë, – për një vend të vogël si Shqipëria rezulton se pas 26 vitesh kemi rreth 123 parti politike, ku anëtarësia e tyre kalon rreth 450 mijë, shifër shumë e lartë (14-15%) e popullsisë aktive, ndërkohë që rreth 1 milion qytetarë madhorë ndodhen në emigrim dhe po kaq janë në moshë minore. Vlen të theksohet se dy parti, PD (1996) dhe PS (2016) kanë arritur të deklarojnë anëtarësime masive (rreth 150 mijë anëtarë), – shifra pa sens dhe dukshëm fiktive në një shoqëri të supozuar të lirë e me mjedis konkurrues, – por edhe tregues seriozë të pushtetit absolut që partitë marrin në kulmet e ushtrimit të pushtetit të tyre.

Vendet e tjera perëndimore ose ish komuniste tashme ne BE e kanë zgjidhur këtë problem , – partitë janë të detyruara me ligj të deklarojnë anëtarësinë dhe të krijojnë mekanizma verifikimi publik të saj, – diçka që në Shqipëri ende konsiderohet tabu dhe sekret shumë më i rëndësishëm sesa sekretet shtetërore.

 

 

 

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.