Programet e PS nga 1991

Programi i Partive Socialiste (PS) nga 1991

Programi politik i PS ka dallime thelbësore në tri faza të tranzicionit, vitet ’90, fundin e viteve ’90 dhe periudhën e sotme. Në fillim të viteve ’90 PS trashëgoi shumë prej mentalitetit dhe paragjykimeve që buronin nga PPSH, midis të cilave ishte edhe natyra kritike ndaj faktorit ndërkombëtar, si dhe mbështetja e fortë tek aspekte të veçanta të së kaluarës komuniste, sidomos asaj gjatë LIIB. Natyra doktrinare dhe ideologjike e saj ishte aq e avancuar saqë deri më 1996 citonte Marksin në hyrje të programit të saj.

Në fazën e dytë të saj, kryesisht në fundin e viteve ’90, PS pësoi ndryshime dhe reformim të thellë edhe programor, duke iu ofruar modelit të një partie socialdemokrate në Evropë. Ajo vendosi konceptet e reja socialdemokrate në program, përcaktoi çështje identitare dhe krijoi një axhendë intensive mbrojtjeje për çështje e komunitete që lidhen me identitetin e saj të majtë politik. Rezistenca e saj ndaj kthimit të pronave, privatizimeve masive apo hyrjes pa limit të kapitalit të huaj në ekonomi u shoqërua me forcimin e konceptit të sindikatave dhe shoqërisë civile, dedikimin ndaj shtresave sociale më në nevojë, fokusimin tek zhvillimi vendas dhe natyra jo protagoniste e trajtimit të çështjeve që lidhen me politikën e jashtme.

Në fazën e tretë politike, e cila ka nisur prej pothuajse një dekade dhe që vijon, PS i ngjan tërësisht PD në formulimin programor pragmatist, deklarativ, në funksion të nevojave elektorale dhe axhendës politike ditore. Premtimet për më shumë përgjegjësi të shtetit, për shërbime sociale falas, etj, erdhën në kontrast me aktet e djathta të trajtimit të burimeve ekonomike, kryesisht përmes politikave të privatizimit total apo partneritetit të burimeve shtetërore me biznesin privat, me injorimin e sindikatave dhe me politika prioritare në mbështetje të biznesit të huaj dhe vendas.

Për sot dhe në të ardhmen, sfida kryesore programore e PS do të jetë kërkimi dhe gjetja e pozicionit të saj politik si parti socialdemokrate me bazë solidaritetin, zhvillimin, humanitetin dhe përgjegjësinë shtetërore ndaj të drejtave dhe nevojave bazë qytetare, si dhe aftësia për të krijuar identitet të dallueshëm jo vetëm me partitë rivale në spektrit tjetër në opozitë, por edhe me aleatët e tjerë të majtë në qeveri.

Më poshtë janë programet politike të PS nga viti 1991:

  • Për të lexuar Programin e Partisë Socialiste  2011, klikoni këtu
  • Për të lexuar Programin e Partisë Socialiste  2005klikoni këtu
  • Per te lexuar Programin e Partise Socialiste 1994, klikoni ketu

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.