QELLIMI I PROJEKTIT

Projekti “Database mbi partitë politike në Shqipëri” është nisma e parë profesionale për të trajtuar në formë dokumentimi, analize krahasuese dhe monitorimi programet, statutet, zgjedhjet, strukturat dhe aktivitetin e partive politike.

Risia dhe qëllimi i projektit

Për herë të parë prezantohen falas për publikun aktet e themelimit të partive politike në Shqipëri, statutet e programet prej vitit 1991, zgjedhjet në strukturat drejtuese të partive politike, të dhëna integrale për zgjedhjet parlamentare e lokale në Shqipëri, legjislacioni mbi partitë politike, rastet e trajtimit nga Gjykata Kushtetuese e problematikës partiake në Shqipëri, raportet e financimit elektoral dhe të partive, kodet zgjedhore dhe rregulloret mbi partitë politike, etj. Database përmbledh në një adresë edhe studimet më serioze mbi partitë politike, tabela ilustruese mbi aktivitetin e tyre dhe të dhëna të tjera me vlerë cilësore për partitë, raportin me shtetin e shoqërinë, si dhe rolin dhe funksionet e tyre de juro dhe de facto.

Për ta bërë më dobiprurës database sjell për publikun shqiptar modelet e partive në rajon dhe në Evropë. Në database janë publikuar statutet dhe programet e partive politike kryesore në Gjermani, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Greqi, Spanjë, Austri, Suedi, Poloni, shumicën e vendeve ish komuniste lindore, si dhe në veçanti, partive politike shqiptare në Kosovë e Maqedoni. Gjithashtu ofrohen të dhëna mbi Kushtetutat dhe legjislacionin e partive politike në 20 vende të ndryshme evropiane, përfshirë vendet e rajonit. 

Synimi i database është ndikimi pozitiv në rritjen e kulturës politike dhe informacionit mbi rolin, funksionet dhe statutin ligjor të partive politike, sensibilizimi i partive për të qenë më demokratike në funksionim dhe më transparente në aktivitetin e tyre publik, si dhe krahasimi i programeve partiake e qeverisëse përgjatë 25 viteve. Database do plotësohet vazhdimisht me të dhëna mbi partitë dhe raportet e tyre me ligjin, si dhe me raporte monitoruese mbi funksionin e demokracisë së brendshme në nivel kombëtar dhe në dy zona pilot, në qytetet Shkodër e Vlorë.

Përfituesit e projektit

Projekti i Database mbi partitë politike në Shqipëri

  • i vjen në ndihmë publikut për njohjen reale të raportit të partive me zgjedhësit, me legjislacionin dhe me praktikat më të mira rajonale e më gjerë;
  • i vjen në ndihmë partive politike për të njohur më mirë memorien e tyre dokumentare dhe funksionale, i vjen në ndihmë studiuesve mbi partitë dhe problematikat e tyre,
  • i vjen në ndihmë medias për informim më të plotë e më profesional mbi këto tematika të rëndësishme,
  • i vjen në ndihmë studentëve të shkencave politike e juridike për informacione profesionale për studimet e tyre të thelluara.

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.