Statutet e Partisë Demokratike (PD) nga 1990

Statutet e Partisë Demokratike (PD) prej vitit 1990 publikohen për herë të parë dhe kanë vlerë me rëndësi publike dhe për vetë anëtarët e mbështetësit e saj. Përmes publikimit arrihet të kuptohen ndryshimet në vite, risitë si dhe problematikat e organizimit të brendshëm. Më poshtë, ju paraqesim një histori të shkurtër të evoluimit të dokumenteve statusore në PD.

Statuti i PD në themelim (1990) përfaqëson dokumentin e parë të një organizate politike jokomuniste dhe demokratike. Normat e vendosura në statut mbi lirinë e organizimit, të shprehjes, të propozimeve, të sistemit të karrierës mbi meritën dhe votën, për rolin e anëtarëve dhe konceptin e balancës dhe ndarjes së pushtetit brenda partisë, – përbëjnë normat e para demokratike në partitë politike shqiptare. Pjesa më e madhe e statutit është ndërtuar duke sjellë një model të kundërt me organizimin piramidal të ish PPSH, si dhe një pjesë tjetër paraqet vizionin ende utopist për partitë e reja politike. Konkretisht, neni  34 përcaktonte se “kryetari qëndron në postin e tij për dy vjet dhe nuk mund të zgjidhet për më tepër se dy mandate rrallazi”.

Kjo normë statusore ndryshoi më 1993 dhe nuk u përfshi më në asnjë prej statuteve të PD në vite dhe prej 2013 kryetari zgjidhet me parimin “1 anëtar – 1 votë”. PD ka miratuar ndryshime statusore në secilin prej Kuvendeve Kombëtare (1993, 1995, 1997, 1999, 2001, 2003, 2005, 2009, 2013). Shupdddmica e dokumenteve janë të orientuara nga ndryshime teknike dhe organizative, pa prekur thelbin e sistemit të përfaqësimit dhe të raporteve në vendimmarrje.

Nga modelet e veçanta të organizimit, PD veçon zgjedhjen e kryesisë nga Kuvendi më 1992, praktikat e mëvonshme të zgjedhjes së kryesisë duke pasur parasysh edhe kuotat e veçanta gjinore (1996), si dhe ndryshimet e ndodhur më vonë, sidomos pas 2013, duke e shndërruar kryesinë në strukturë të gjerë për të gjithë drejtuesit politikë në parti, parlament dhe seksionet tematike të saj.

Referuar traditës rrallë ka ndodhur që normat statusore në PD të respektohen, sidomos ato që kanë të bëjnë me mbledhjet e rregullta të strukturave të zgjedhura, konsultimet për kandidatët për postet drejtuese politike, sidomos në rastet e kandidimit në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale, si dhe në rastet e qëndrimeve politike mbi koalicionet politike dhe jetën politike në vend.

Në fazën e parë të viteve ’90 strukturat e PD kishin më shumë ndikim sesa strukturat e sotme, kryesisht për shkak të konceptit decentralizues në një sërë kompetencash, kurse në periudhën e dekadës së fundit roli I strukturave vendimmarrëse ka qenë thuajse fiktiv, dhe se ka munguar edhe formalisht mbledhja e strukturave statusore të vendimmarrjes apo të konsultimit.

PD nuk ka aplikuar parime statusore të ndarjes së mandateve parti – qeveri , as referendum të brendshme partiake dhe as praktika të mocionit ndaj strukturës drejtuese. Parimet e saj organizative kanë mbetur klasike, – kryesisht të identifikuara tek figura e kryetarit të partisë dhe me rol në rritje të trupës parlamentare ndaj strukturave të tjera partiake. Në PD mungojnë rregulloret që përcaktojnë marrëdhëniet me grupit parlamentar, grupit ekzekutiv, grupit përfaqësues në qeverisjen lokale dhe strukturës partiakë, siç edhe mungojnë praktika të shkruara të marrëdhënieve midis strukturave të bazës / qendrës si dhe proceseve të brendshme transparente, përfshirë një strukturë efektive ankimi e gjykimi statusor.

Statuti i pd fototPD në historinë e saj 26 vjeçare ka ndryshuar disa kryetarë dhe kryesi, por në tërësi, shumica e drejtuesve kanë qenë direkt ose indirekt vullnet i figurës kryesore drejtuese të kësaj partie, ish Presidentit dhe ish Kryeministrit Berisha. Rasti i vetëm kur drejtimi i PD pati mospërputhje me të ishte ai i vitit 1995 (E.Selami) dhe rebelimi zgjati më pak se tre muaj, pasi kryetari u shkarkua përmes një Konference të Jashtëzakonshme. Identifikimi i PD me një emër politik ka pasur ndikimin e vet në dobësimin e strukturave, parimeve statusore dhe standardeve të larta të demokracisë së brendshme. Për shembull, PD vetëm në vitet 2001-2003 deklaroi legalizimin e të drejtës së fraksionit kritik në parti,  por de facto koncepti i fraksionit dhe pakicës kritike që formësohet me alternativë dhe votë konkurruese nuk është lejuar asnjëherë.

Dokumentet statusore të PD kanë nevojë për reformim të thellë, me ndjekjen e praktikave më të mira të vendeve perëndimore anëtare të EPP, dhe zgjerimit të demokracisë së brendshme dhe të forcës konkurruese të bazuar në sistemin e meritës, votës dhe vizionit pozitiv. Aplikimi nga PD i parimit “1 anëtar – 1 votë” në zgjedhjet për kryetar 2013 duhet avancuar me zbatimin e këtij parimi në të gjitha nivelet, me një strukturë të re më cilësore dhe efektive drejtuese dhe me një sistem merite që zëvendëson sistemin piramidal të vendimmarrjes dhe preferencës me sistemin horizontal që lejon zëvendësimin e liderëve të fortë politikë me institucione të forta garantuese dhe vendimmarrëse.

Më poshtë janë dokumentet kryesorë statusorë të PD nga viti 1990:
  • Per te lexuar Statutin e Partise Demokratike 2009, Shqiperi klikoni ketu 
  • Për të lexuar Statutin e Partisë Demokratike 2005, Shqipëri klikoni këtu
  • Per te lexuar Statutin e Partise Demokratike 1999,Shqiperi klikoni ketu 
  • Per te lexuar Statutin e Partise Demokratike 1998,Shqiperi klikoni ketu 
  • Për të lexuar Statutin e Partisë Demokratike 1996, Shqipëri klikoni ketu 
  • Për të lexuar Statutin e Partisë Demokratike 17/12/1990, Shqipëri klikoni ketu
  • Për të lexuar Urdhrin e krijimit të Partisë Demokratike 19/12/1990, Shqipëri klikoni ketu

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.