Zgjedhja e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar në PD

Nga viti 1991 ka ndryshuar shumë formula e zgjedhjeve për në kryesi dhe në strukturat drejtuese. PD më 1991 ishte e para dhe mbetet e vetmja parti që ka aplikuar votimin e kryesisë nga delegatët e kongresit, duke i dhënë kryesisë një legjitimitet të lartë. Tabela e votave bashkëngjitur këtij materiali është kopje e përfundimit të votimit më 1991 për kryesinë. Kur kryesia dhe kryetari zgjidhen nga Kuvendi Kombëtar, pesha e tyre politike njësohet dhe secili ka të njëjtin legjitimitet.

Kryesia e PD 1991-1993Pas vitit 1992 të gjitha njësuan statutet dhe përcaktuan zgjedhjen e kryesisë përmes votave të Asamblesë Kombëtare / Këshillit Kombëtar / Këshillit Drejtues / Komitetit Drejtues, – një strukturë kjo e përbërë nga të zgjedhur me votim në kongres/kuvende, si dhe nga kryetarët e degëve lokale të partive respektive.

Në PD u procedua me propozime të lira nga kandidatët, si dhe pas viteve 1996-1997 me propozim të kryetarit të partisë. Mbi këtë listë mund të propozonin një numër anëtarësh të kryesisë, si dhe pas 1995 u futën edhe kuota të veçanta gjinore në kryesi.

Pas vitit 2001 në kryesi nuk bëjnë pjesë vetëm anëtarët e zgjedhur por edhe sekretariati i zgjedhur paralelisht. Pas vitit 2014 nuk ka kryesi të zgjedhur klasike, por më shumë një strukturë të kooptuar me individë të zgjedhur në Kuvend, në departamente, në organizimin e partisë, në sekretarit, etj. Numri i tyre ndryshon në varësi nga emërimet e reja, por në total, numri i kryesisë ka arritur në 3-4 herë më e lartë sesa kryesia e parë e viteve 1990-1991.

Këshilli kombëtar vijon të jetë miks, – me drejtuesit e degëve të kooptuar, si dhe me anëtarë të shumicës që zgjidhen përmes listës konkurruese, duke respektuar kuotat gjinore sipas statusit. Drejtuesit e forumeve të grave dhe të rinisë, si dhe ish kryetarët, ish presidentët, ish kryeministrat, etj, janë anëtarë të përjetshëm të Këshillit Kombëtar.

Sipas nenit 40, Këshilli Kombëtar, në përputhje me programin, Statutin dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar, drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy Kuvendeve . Ai përbëhet nga Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm, Nënkryetarët, Sekretarët funksionalë të Partisë; Kryetari i Bordit Financiar (Trezorieri) i Partisë; ish Presidentët e Republikës, ish Kryeministrat, ish-Kryeparlamentarët dhe ish Kryetarët e PD; kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive të kategorisë së parë; Kryetarët e degëve; Kryetarët e organizatave partnere; si dhe anëtarët e zgjedhur sipas Nenit 39/3 të Statutit. Numri i anëtarëve të zgjedhur sipas germës “h” duhet të mos jetë më i vogël se shuma totale e dalë sipas germave të tjera. Anëtarët me të drejtë sipas germave d, e, g janë anëtarë të KK vetëm nëse janë anëtarë të PD. Mandati i anëtarëve të Kuvendit Kombëtar sipas pikës 2/b,c,e,f,g të këtij Neni përfundon me përfundimin e mandatit përkatës. Mandati i kategorive të tjera është katërvjeçar. Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit dhe debaton sipas një rendi dite të vendosur nga kryesia e partisë. Anëtarët e qeverisë në funksion, anëtarë të PD, kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Kombëtar, por nuk kanë të drejtë vote. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë.

Kompetencat e Këshillit Kombëtar (Neni 41): merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë Statut si e drejtë vetëm e Kuvendit. Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së Partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen. Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë: Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Sekretarët funksionalë dhe zyrtaret e tjere qe edhe i zgjedh. Ai vendos për rregulloren e brendshme, me propozim të kryesisë së partisë, ndërmerr gjithë dispozitivin e nevojshëm për zbatimin e këtij Statuti dhe për mbarëvajtjen e partisë. Ai vendos të gjitha investiturat (kandidaturat) elektorale, me përjashtim të atyre që ky Statut i parashikon ndryshe. Ai shpall masat disiplinore. Vendimet e Këshillit kombëtar merren me shumicë të thjeshtë votash. Në rastin e masave disiplinore vendimet e këshillit kombëtar merren me 2/3 e votave. Mbledhjet e këshillit kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve.

  • Për të lexuar emrat e Kryesisë së PD 2014 -2016, klikoni këtu
  • Për të lexuar emrat e Kryesisë së PD 2009, klikoni këtu
  • Për të lexuar emrat e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar 2005, klikoni këtu
  • Për të lexuar emrat e Kryesisë së PD 1991 – 1993, klikoni këtu

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.