ZGJEDHJA E PRESIDENTIT: DIREKT APO INDIREKT? 67% E EVROPES I ZGJEDH DIREKT

Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) dhe database www.politike.al risjell në vëmendje praktikat evropiane të zgjedhjes së kryetarit të shtetit (Presidentit të Republikës), si dhe argumentet në debatin mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese edhe në Shqipëri. Në vendin tonë, ka një sistem të përmbysur hierarkie: Presidenti që është kryetar shteti zgjidhet me 71 vota, Avokati i Popullit që ka rol honorifik zgjidhet me 84 vota, 13 më shumë sesa drejtuesi i piramidës shtetërore..!??

Zgjedhja e presidentit është kthyer përsëri në temë e debatit politik në Shqipëri. Disa muaj më parë ishte nisma e tre Presidentëve (Moisiu – Meidani – Topi) që përmes një letre publike adresuar edhe Komisionit të Reformës propozuan nevojën e kalimit nga zgjedhja indirekte në zgjedhje direkt të Presidentit. Zgjedhjet e Presidentit të ri do të duhet të zhvillohen në maj – prill 2017, dhe me 24 korrik 2017 Presidenti i zgjedhur merr detyrën deri më 24 korrik 2022.

MITET E GABUARA: Pse janë paragjykuese alibitë “Presidenti direkt ndryshon sistemin politik”, “Presidenti direkt zgjidhet partiak”, “Presidenti direkt “duhen shtuar kompetencat”, “Presidenti direkt krijon individ me pushtet të madh”?

Janë disa nga 101 argumente që zerojnë alibitë:

  • sepse nga të gjitha rastet në tabelë (23) ku Presidenti zgjidhet direkt vetëm 4-5 janë republika me natyrë gjysmë-presidenciale, pra 18-19 mbeten republika parlamentare,
  • sepse shanset për President partiak janë shumë më të mëdha me 71 vota (siç e kemi sot zgjedhjen) sesa me rreth 700-800 mijë vota (siç mund të jetë në zgjedhje direkt),
  • sepse rreth 12 Presidentë nga lista më poshtë edhe pse zgjidhen direkt kanë kompetenca më të pakta sesa Presidenti në Shqipëri (që zgjidhet në parlament),
  • sepse me ndryshimet kushtetuese 2008 kemi krijuar një kryeministër të gjithëpushtetshëm dhe zgjedhja direkt e Presidentit vetëm sa do ndikonte në balancimin e pushtetit përfaqësues,
  • sepse mandati i Presidentit është më i gjatë sesa i çdo kryeministri dhe qeverie dhe sipas Kushtetutës, ai duhet të jetë moderator në jetën institucionale
  • sepse me sistemin aktual krijohet krize (2017) kurse ne zgjedhje direkt nuk ka krize politike.
  • sepse aktualisht kandidati për President emërohet nga shefi i mazhorancës, kurse në zgjedhjet direkt mund të jetë edhe produkt i nismave qytetare jashtë partive
  • dhe së fundi, sepse me përjashtim të kryetarit të bashkisë ne nuk zgjedhim asnjë individ direkt (as President, as deputetë, as ministra, as kryeministër dhe as drejtues të institucioneve të tjera shtetërore, publike e kushtetuese).

PËR TË INTERESUARIT, JA CILËT JANË TREGUESIT E MODELEVE EVROPIANE NË ZGJEDHJET PRESIDENCIALE: në 67% të vendeve evropiane Presidenti i Republikës zgjidhet direkt nga qytetarët.

Konkretisht, në 23 vende zgjidhet direkt (nga qytetarët) dhe në 11 vende zgjidhet indirekt (në parlament).

  • Ka vende si Zvicra e Bosnja ku zgjedhja është me formatim ndryshe, përmes një presidence të deleguar me rotacion (Zvicër) dhe presidence kolegjiale ndëretnike (Bosnje).
  • Ka vende si Turqia ku zgjedhja e Presidentit aktual është në parlament (indirekt), por është bërë ndryshimi kushtetues që presidenti pasues të zgjidhet direkt përmes votës qytetare.
  • Ka vende si Kosova ku partitë politike me marrëveshje (2011) ranë dakord që zgjedhja e Presidentit pasues (2012) të bëhej direkt nga qytetarët, por më pas marrëveshja nuk u respektua dhe një prej nënshkruesve është sot President, i sapozgjedhur nga parlamenti.
  • Ka vende si Rusia e Shqipëria ku Presidenti i dorëhequr nuk ka të drejtë ri-kandidimi, vende si Malta ku Presidenti nuk mund të ketë më shumë se një mandat, vende si Italia e Izraeli ku mandati unik është 7 vjet ose Franca ku u kalua nga mandate 7 vjeçar në mandat 5 vjeçar, vetëm Moldavia, Letonia, Islanda e Bosnja kanë mandate 4 vjeçare, ndërkohë që Finlanda, Austria e Rusia kanë mandat 6 vjeçar.
  • Vetëm Shqipëria e Moldavia bënë ndryshime kushtetuese për ta zgjedhur Presidentin në parlament me shumicë të thjeshtë votash 50 + 1%. Në dallim nga Shqipëria, në Moldavi më 2016 Gjykata Kushtetuese e Moldavisë e cilësoi ligjin antikushtetues dhe për pasojë, zgjedhja e Presidentit do të vijojë të jetë direkt nga qytetarët. Tek ne Gjykata Kushtetuese refuzoi të gjykojë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përfshihej edhe zgjedhja e Presidentit.

Nisma e fundit e ndërmarrë në Kuvend është pozitive, por dukshëm nuk ka një vullnet politik për ndryshimin e zgjedhjes. Dy partitë e mëdha politike zyrtarisht janë shprehur për ruajtjen e formulës aktuale të zgjedhjes së Presidentit, partitë e tjera nuk kanë rol parlamentar vendimmarrës. Nga faktori ndërkombëtar, misioni i BE është shprehur pro zgjedhjes direkt të Presidentit, 7 vende anëtare të BE janë gjithashtu pro, të tjerat kundër apo për zhvendosje të debatit në një fazë tjetër vite më vonë!

 

Me poshte gjeni raportin me te dhena te plota:

ZGJEDHJA_E_PRESIDENTIT_NE_SHQIPERI_DHE_34_VENDE_EVROPIANE

Shpërnda në rrjetet sociale
  • 2
  •  
  •  
  • 6
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.