ZGJEDHJET LOKALE

Nga viti 1991 janë zhvilluar 7 zgjedhje lokale: 1992, 1996, 2000, 2003, 2007, 2011 dhe 2015. Pesë zgjedhje lokale janë bërë me mandat 4 vjeçar, (1992, 1996, 2007, 2011, 2015) dhe dy zgjedhje lokale janë bërë me mandat 3 vjeçar (2000, 2003). Me përjashtim të zgjedhjeve 2015, në të gjitha zgjedhjet e tjera është votuar edhe për kryetar komune dhe këshill të komunës. Nga 2000-20111 është votuar në Tiranë edhe për 11 kryetarë të bashkive të vogla (minibashkive).

 

 

ZGJEDHJET LOKALE 2007

Zgjedhjet lokale 2007 janë të parat zgjedhje lokale të shtyra, për shkak të debatit mbi dokumentet e identifikimit në Tiranë dhe u bënë dy vjet pas rotacionit politik e kthimit të së djathtës në pushtet.

Në zgjedhje u regjistruan në lista 2.929.293 zgjedhës. Nga ky numër në total, votuan 1.358.186 shtetas ose 46.37%. Po ashtu u regjistruan 1.076 kandidatë të drejtpërdrejtë të mbështetur nga 42 subjekte politike. Nga këta kandidatë, 33 ishin femra dhe 157 të pavarur. Në përfundim rezultuan 43.621 vota të pavlefshme ose 3.21%, ndërsa 1.314.565 vota u konsideruan të vlefshme ose 96.79%.Zgjedhjet lokale 2007

Në përfundim kandidatët e zgjedhur nga PD-ja dhe aleatët e saj fituan në 36 bashki, 3 njësi bashkiake dhe 188 komuna. Në total ata morën 227 njësi vendore.

Socialistët dhe kandidatët e mbështetur prej tyre fituan në 26 bashki, 10 më pak sesa PD-ja, dominuan njësitë bashkiake me 8 njësi të fituara, por morën vetëm 92 komuna, rreth 50% më pak sesa PD-ja. Në total PS-ja dhe aleatët e saj morën 126 njësi vendore ndaj 227 të PD-së. Socialistët fituan 9 nga 12 bashkitë e kategorisë së parë, si dhe 5 nga 6 qytetet më të mëdha të vendit. Pra, PS-ja fitoi qendrat urbane dhe PD-ja periferinë e tyre.

Në Tiranë Edi Rama e fitoi mandatin e tretë të kryetarit të Bashkisë me vetëm 98 mijë vota, ndërkohë kandidati demokrat Sokol Olldashi mori 76 mijë vota. Rama mori rreth 33 vota më shumë se partia e tij politike, Olldashi rreth 22 mijë vota më shumë se partia e tij politike.

(Burimi: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

 

 

ZGJEDHJET LOKALE 2003

Zgjedhjet lokale 2003 u zhvilluan më 12 tetor 2003. Për postet e 384 kryetarëve të bashkive dhe komunave u regjistruan 1,949 kandidatë. Në total në KQZ u regjistruan 51 parti politike, por në zgjedhje morën pjesë 41 prej tyre. Nga ky numër 39 parti dhe një koalicion paraqitën një listë me 4,516 kandidatë për votimin proporcional. Vetëm 70 kandidatë për kryetarë bashkie ose komune ose 3.5% e tyre ishin gra dhe nga këto u zgjodhën 10 gra.

Zgjedhjet lokale 2003

Në zgjedhje morën pjesë 1,180,414 zgjedhës, të cilët votuan për 6,126 të zgjedhur vendorë. Nga këto vota totale Partia Socialiste fitoi rreth 410 mijë vota ose 34%, kurse Partia Demokratike 382 mijë vota dhe 32%. Asnjëherë më parë dy partitë kryesore politike nuk kishin patur distancë më të afërt sesa në lokalet e vitit 2003. Në vend të tretë u rendit PSD-ja me rreth 7% të votave.

Pesë parti politike, PR-ja, PAA-ja, PBDNJ-ja, PDS-ja dhe PAD-ja morën rreth 3% të votave. PLL-ja dhe PDR-ja kaluan kufirin e 2%, kurse PDK-ja, PBK-ja dhe PK-ja morën më shumë se 1% të votave. Në total koalicioni i majtë qeverisës (PS, PAD, PSD, PDS, PBDNJ, PAA) fitoi 50,67% të votave ndaj 40,49% të koalicionit të djathtë (PD, PR, PLL, PBKD, PBL). Pjesën tjetër të votave e fituan partitë e vogla, përfshirë PDR-ja dhe PBK-ja, dy parti ende jashtë koalicionit të djathtë.

Në Tiranë Edi Rama u konfirmua me 54 mijë vota përballë Spartak Ngjelës me 42 mijë vota, kurse partia më e votuar ishte PS-ja me rreth 55 mijë vota, e ndjekur nga demokratët me 42 mijë vota. Në vend të tretë u rendit PSD-ja me 3 mijë vota, e ndjekur nga PR-ja me 2 mijë dhe katër parti të tjera me 1-1,5 mijë vota.

 (Burimi: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

 

 

ZGJEDHJET LOKALE 2000

Zgjedhjet lokale 2000 ishin të parat zgjedhje nën administrimin e një qeverie të majtë dhe zgjedhjet e para pas rotacionit dhe krizës politike 1997. Në zgjedhje u rregjistruan 35 parti dhe një koalicion, “E Djathta e Bashkuar”. Në total konkurruan 2232 kandidatë në votim për kryetar bashkie e komune si dhe 2360 kandidatë nga listat shumemërore të partive.

Zgjedhjet lokale 2000

Në zgjedhje do të duhej të votohej për 65 kryetarë bashkie, 11 kryetarë minibashkie, 309 kryetarë komune dhe disa mijëra këshilltarë të bashkive dhe të komunave.

Në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, me ndryshimet në Kushtetutë, mandati i pushtetit vendor do të ishte tre vjet dhe nuk do të kishte votime direkte për rrethet dhe Këshillat e Rretheve.

Në përfundim të raundit të parë të zgjedhjeve u konstatua se PS-ja fitoi 28 bashki dhe 110 komuna, PD-ja 9 bashki dhe 58 komuna, PBDNJ-ja 5 komuna dhe PLL-ja 1 komunë. Në raundin e dytë të zgjedhjeve ishin në garë 28 bashki, 128 komuna dhe 10 nga 11 minibashkitë e Tiranës. Siç pritej PD-ja fitoi në vetëm 21 njësi ndaj 114 të fituara nga PS-ja. Në proporcional PS-ja fitoi 42.91% ndaj 33.79% të PD-së. Parti e tretë, në fakt edhe më e suksesshme e zgjedhjeve u rendit PSD-ja me 7.11% të votave. Pas saj me diferencë të thellë u rendit PAD-ja me 3.14%, PR-ja me 2.68%, PBDNJ-ja me 2.24%, PDK-ja 2.3%, DBSH-ja 2.09% dhe PA-ja 1.53%.

Në Tiranë Edi Rama fitoi lehtësisht që në raundin e parë të zgjedhjeve me 81,181 vota ose 52.73%. Kandidati kryesor i opozitës, Besnik Mustafaj fitoi 60,400 vota ose 39,23%. Zef Bushati i PDK-së fitoi 1700 vota, kurse tetë kandidatët e tjerë dolën me një rezultat të papërfillshëm nga 150 në 550 vota. Në votimin për këshillin bashkiak në Tiranë u ruajtën të njëjtat raporte. PS-ja fitoi 73,234 vota dhe PSD-ja 4,697, së bashku vetëm 3250 vota më pak sesa kandidati i përbashkët Rama. PD-ja fitoi 58,453 vota, rreth dy mijë vota më pak sesa kandidati Mustafaj.

 (Burimi: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

 

 

ZGJEDHJET LOKALE 1996

Zgjedhjet lokale 1996 ishin test politik për zgjedhjet parlamentare të majit 1996. PD dhe PS krijuan koalicionet e tyre mbështetëse, PR, PBK dhe PLL krijuan “E djathta e Bashkuar”, PSD dhe PAD krijuan “Polin e Qëndrës”.

Zgjedhjet 1996

Mbi bazën e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve lokale të vitit 1996, Partia Demokratike fitoi 741 mijë vota, rreth 300 mijë vota më shumë se Partia Socialiste. Vendi i tretë i takoi Partisë Republikane me rreth 50 mijë vota, i ndjekur nga koalicioni PSD-PAD me 43 mijë, PBDNJ dhe Balli Kombëtar me nga 33 mijë, PLL dhe PBSD me nga 15 mijë, PDK me 12 mijë, PA me 8 mijë vota etj.

Në krahasim me zgjedhjet e para lokale të korrikut 1992, në tetor 1996, demokratët patën një rritje prej 186 mijë votash, socialistët një rënie prej 90 mijë votash. Të vetmet parti të tjera me rritje votash ishin Partia Republikane dhe Partia Demokristiane. Partitë me humbjet më të mëdha elektorale, krahas socialistëve, ishin PBDNJ-ja me 22 mijë vota, PSD-ja me 12 mijë vota dhe PUK-ja me 9 mijë vota.

PD-ja fitoi 52 nga 65 bashkitë e vendit, përfshirë këtu 12 bashkitë kryesore dhe qendra të njohura si bastione të së majtës, siç ishte Gjirokastra, Berati dhe Fieri. Në krahasim me 1992, më 1996 PD-ja mori 34 bashki më shumë, kurse socialistët me vetëm 8 bashki, pas katër viteve qeverisje lokale humbën 15 bashki. Referuar kryetarëve të komunave, përsëri rezultatet janë dukshëm në favor të PD-së, ndërkohë që më 1992, ato ishin në favor të PS-së. PD-ja fitoi 148 komuna më shumë se më 1992, shifër që natyrisht e humbën socialistët. Risi ishte fitorja e DBSH në bashkinë Shkodër përballë PD.

(Burimi: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

 

 

ZGJEDHJET LOKALE 1992

Zgjedhjet lokale 1992 janë të parat zgjedhje demokratike lokale prej vitit 1923 në Shqipwri. Zgjedhjet lokale u zhvilluan në dy raunde, me sistemin mazhoritar. Në raundin e parë u votua edhe për Këshillat e Rretheve dhe ato të komunave e bashkive. Në zgjedhje morën pjesë 1.405.066 nga numri total prej 1.988.795 zgjedhësish. Në përqindje pjesëmarrja ishte 70,65%. Rreth 9% e votave rezultuan të pavlefshme.

1992 lokale

Në votimin për Këshillat e Rretheve PD-ja fitoi 555,395 vota ose 43,25%, PS-ja 530,885 vota (41.34%), PR-ja  43,903 vota (3.42%), PSD-ja 55,947 vota (4.36%), si dhe PBDNJ-ja 55,253 vota ose 4.3%. Duke i parë si koalicione, koalicioni qeverisës midis PD-PR-PSD fitoi 51,03% përballë 45,64% të opozitës. Pjesa tjetër e votave u nda midis partive të vogla të pagrupuara në koalicione politike.

Në votimin për këshillat bashkiakë, morën pjesë 589,411 nga 785,400 zgjedhës ose 75% e tyre. Rreth 13% të votave rezultuan të pavlefshme, kurse për partitë politike votat bashkiake ishin: PD-ja 257.950 vota ose 50.59%, PS-ja 178.973 vota ose 35.95%, PR-ja 16.485 vota ose 3.23%, PSD-ja 18.545 vota ose 3.64%, PBDNJ-ja 21.135 vota ose 4.15% të votave. Edhe në këtë votim koalicioni qeveritar fitoi 57,46% të votave ndaj 40,10% të opozitës. Pjesa e mbetur i përket partive të vogla pa përcaktim në koalicionet politike.

Në votimin e tretë, atë për këshillat komunalë, votuan 838.366 nga 1.197.736 zgjedhës ose 70% e tyre. Votat e pavlefshme ishin 2% më pak sesa në votimet e këshillave bashkiake. Rezultatet e votimit sipas partive politike nxjerrin fitues Partinë Socialiste, e cila mori 340266 vota ose 45.43%. PD-ja siguroi 278.101 vota ose 37.13%, PSD-ja 40.065 vota ose 5.35%, ndjekur nga PR-ja me 33.726 vota ose 4.50% dhe PBDNJ-ja 33.223 vota ose 4.44% të votave. Siç shihet, koalicioni qeveritar fitoi 46.98% të votave ndaj 49.87% të koalicionit të majtë opozitar.

(Burimi: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.