Zgjedhjet, risite dhe rezultatet 1991

Zgjedhjet parlamentare të 31 marsit 1991 janë zgjedhjet e para shumëpartiake në Shqipëri. Pas 46 vjetëve sundim me dorë të hekurt dhe pa kundërshtarë politikë, PPSH-ja do të duhej të përballej me votën e fshehtë të qytetarëve të vendit më të varfër dhe më të izoluar në Evropë. Zgjedhjet u zhvilluan me sistem të pastër mazhoritar në 250 zona elektorale.

Në zgjedhjet u regjistruan 1,984,933 zgjedhës, nga të cilët zyrtarisht u tha se morën pjesë në votime 1,963,568 votues, ose 98,2% e zgjedhësve. Në zgjedhje u r1991egjistruan 1,074 kandidatë, nga të cilët 250 nga Partia Demokratike, 243 nga Partia e Punës, 165 nga Partia Republikane, 122 nga Fronti Demokratik, 94 nga Bashkimi i Grave, 94 nga Bashkimi i Rinisë, 37 nga Partia Agrare, 7 n
ga Komiteti i Veteranëve si dhe 17 kandidatë të pavarur.

Një numër i madh kandidatësh të PPSH-së u regjistruan njëherësh si kandidatë koalicioni me organizatat e saj satelite. Në këtë kategori bënin pjesë figura të njohura si Ramiz Alia, kandidat i PPSH-së dhe Bashkimit të Rinisë, kryeministri Adil Çarçani kandidat i PPSH-së dhe Frontit Demokratik, etj. Në përfundim të zgjedhjeve 21 deputetë të PPSH-së, përfshirë kryeministrin Çarçani, ministrin e arsimit Kastriot Islami si dhe 8 sekretarë të parë të PPSH-së në rrethe, të regjistruar në zgjedhje si kandidatë të përbashkët koalicioni midis PPSH-së dhe organizatave satelite, arritën të fitojnë mandatin e deputetit.

Në zgjedhje humbën figura të njohura drejtuese të PPSH-së, përfshirë Sekretarin e Parë të PPSH-së njëherësh kryetari i shtetit, Ramiz Alia, kryetari i KQZ-së Rexhep Meidani, sekretari i dytë i PPSH-së Spiro Dede, si dhe disa prej ministrave kryesorë. Gjithashtu duhet theksuar se 90,4% e parlamentit, në total 226 deputetë, u zgjodhën për herë të parë në parlament. Ky ishte një sinjal i qartë i ndryshimit me të cilin duhej të përballej politika dhe shoqëria shqiptare. Megjithatë, duke analizuar emrat e zgjedhur, rezulton se në grupin e deputetëve të zgjedhur bënin pjesë vetëm tre anëtarë të Byrosë Politike të PPSH-së, Adil Çarçani, Xhelil Gjoni dhe Kiço Mustaqi, si dhe 25 anëtarë të Komitetit të fundit Qendror të PPSH-së. Nga ministrat e regjimit të vjetër komunist, krahas kryeministrit, u zgjodhën edhe ish ministrja e bujqësisë, Themie Thomai, si dhe disa nga ministrat e viteve të fundit (Nano, Cani, Disha, Kolaneci, Hoxha, Mezini, Islami, Ruçi, etj). Ndër deputetët me mandatin më të gjatë parlamentar ishin Adil Çarçani dhe Haxhi Lleshi, përkatësisht pjesëmarrës në parlament që prej vitit 1950, pra për 41 vjet. Më pas me mandate të njëjta 12 vjeçare ishin deputetët Dritëro Agolli, Themie Thomai dhe Kiço Mustaqi.

Çdo analizë krahasuese e rezultatit të zgjedhjeve të marsit 1991 lejon të arrihet në konkluzionin se Partia e Punës, për shkak të ligjit dhe manovrave në zonat elektorale, fitoi shumë më tepër mandate parlamentare sesa ishte vullneti i popullit. Kështu, PPSH fitoi 67,6% të vendeve në parlament, rreth 11,7% më shumë sesa përqindja e votave në proporcional ose e përkthyer në numër deputetësh, 29 deputetë më shumë sesa vota kombëtare. Nëse ligji elektoral do të kërkonte përputhje midis numrit të votave në proporcional me numrin e vendeve në parlament, duke i marrë të mirëqena zonat elektorale siç ato ishin, atëherë PPSH do të kishte 140 deputetë, PD 104 deputetë.

 (Marrë nga libri: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.