Zgjedhjet, risitë dhe rezultatet 1996

Zgjedhjet e vitit 1996 përbëjnë një nga momentet kryesore të zhvillimeve politike gjatë periudhës së tranzicionit. Ato u përshkuan nga incidente dhe kontestime të mëdha.

Kohë përpara zgjedhjeve hynë në fuqi ligjet “Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare” dhe “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, të cilat, përveç të tjerash, ndalonin kandidimin në zgjedhje të personave objekt të ligjit. Në total 7 kandidatë të PAD, 6 të PSD dhe 35 të PS-së u përjashtuan nga e drejta e kandidimit.

Zgjedhjet u bënë me një ligj të ri zgjedhor, sipas të cilit ruhej sistemi miks i votimit, por nga 100 zona në mazhoritar rritej numri në 115 zona, kurse nga 40 mandate në proporcional ulej numri i mandateve në 25 manZgjedhjet 1996date. Sipas të dhënave zyrtare, numri i votave të vlefshme ishte 1,646,481, me pjesëmarrje 89% në raundin e parë dhe me rreth 250,000 vota të pavlefshme ose 13% e votave totale.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se PD-ja kishte fituar 55,5% të votave ose 32,5% më shumë sesa përqindja e vendeve në parlament. Shprehur me vota, PD-ja mori rreth 915 mijë vota, rreth 600 mijë vota më shumë se PS-ja. Shprehur me përqindje, PS-ja mori 20,4% të votave ose 13,4% më shumë sesa përqindja e vendeve në parlament. Një numër i madh votuesish, rreth 250 mijë, kishte votuar për tri partitë aleate me PD-në (PR-në, PBDNJ-në dhe PBK-në) dhe bashkë me dy partitë e tjera të djathta, PDK-në dhe PBD-në, votat e aleatëve të PD-së ishin të njëjta me votat e PS-së, një përfundim i vështirë për t`u pranuar.

Në përfundim të zgjedhjeve procesi u kontestua tërësisht. Partitë kryesore të opozitës bojkotuan edhe raundin e dytë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në 17 zona (11, 24, 42, 62, 67, 69, 75, 81, 82, 89, 90, 92, 94, 101, 104, 113, 115), ku fitues dolën disa parti të vogla aleate të së djathtës, me mandate të dhuruara në shkëmbim të pjesëmarrjes në zgjedhje.

(Marrë nga libri: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.