Zgjedhjet, risitë dhe rezultatet 1997

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1997 ishin zgjedhjet e dyta të parakohshme parlamentare që nga viti 1990 dhe duhej t’i jepnin fund krizës së rëndë politike dhe sociale për të sjellë stabilitet politik dhe ekonomik. Ato ishin zgjedhje emergjence dhe larg standardeve demokratike, por “të pranueshme për momentin”.Zgjedhjet 1997

Në zgjedhjet e vitit 1997 morën pjesë 19 subjekte elektorale. U ndryshua sistemi zgjedhor, sipas të cilit, numri i deputetëve do të rritej nga 140 në 155, nga të cilët 115 do të zgjidheshin drejtpërdrejt në zona një-emërore, kurse 40 mandatet e tjerë shtesë u jepen kandidatëve që janë në listat e subjekteve në shkallë vendi, në bazë të votave të fituara gjatë votimit në raundin e parë”.

Ndarja e mandateve plotësuese, me një formulë të komplikuar, shkonte në favor të partive që fitonin jo më pak se 2% të votave, fituesit duhej të ishin sipas renditjes në listë, kushti proporcional për kandidim në 38 zona në 12 rrethe thjeshtëzohej me 25 zona në 10 rrethe.

Përfituesja kryesore në zgjedhje do të ishte Partia Socialiste, e cila fitoi rreth 360 mijë vota më shumë se më 1996-n ose 27% të votave kombëtare më shumë se PD-ja dhe koalicioni i saj “Bashkimi për Demokracinë”. Partia Demokratike pati një rënie drastike, ajo në çdo tri vota të saj humbi dy dhe në rang kombëtar humbja ishte edhe më e thellë, çdo katër vota ajo humbi tri. Për shkak të ligjit, Partia Socialiste fitoi 22 vende në listën proporcionale dhe në total rreth 101 deputetë, ndaj 24 deputetë të PD. Pjesën tjetër i fituan partitë aleate, kryesisht përmes zonave të lira të dhëna nga PS ose përfshirjes në listën shumë-emërore nga PD.

Nga 155 deputetët e dalë nga zgjedhjet vetëm 10 ishin femra. Mosha mesatare e deputetëve ishte 52 vjeç, çfarë do të thotë se shumica absolute e deputetëve i përkisnin brezit të lindur në vitet 1947-55, moshë e lindur dhe e rritur në diktaturë.

Nga 155 deputetë, 8 zgjidheshin për herë të katërt, 17 për herë të tretë dhe 27 për herë të dytë. Pjesa tjetër prej 103 deputetësh ose 66% e deputetëve u zgjodhën për herë të parë.

(Marrë nga libri: “Zgjedhjet në Shqipëri 1991-2008, Konica, Tiranë 2009, autor Afrim Krasniqi).

Shpërnda në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.